Tirana është një kantier i hapur. Shumë largime dhe në klubin bardheblu përgatitjet do të fillojnë më datë 1 korrik, përgatitje mes shumë të panjohurave. Aktualisht, Tirana ka publikuar në rrjetet sociale pesë largimet e këtij muaji. Bardheblutë kanë ndarë rrugët me lojtarë në të gjithë repartet, me përjashtim të mesfushës. Kështu Romeo Harizaj, Florjan Përgjoni, Akileu Ndreca, Admir Bajroviç dhe Fatmir Prengaj nuk do të jenë pjesë e Tiranës për edicionin e ardhshëm. Përgjoni dhe Prengaj akoma nuk kanë gjetur ekipin e ri, ndryshe nga pjesa tjetër.
Tirana është në prag të revolucionit. Nuk përjashtohen shitje të lojtarëve cilësorë që kanë mbetur, për t’u zëvendësuar me të tjerë që kanë kualitet për Superioren. Një tjetër futbollist ka kërkuar largimin dhe ai është Qëndrim Ismajli. Sipas lajmeve të fundit, lojtari u ka paraqitur një kërkesë klubit për të prishur kontratën me konsensus.
Arsyet e kësaj lëvizjeje nuk zbulohen, por është marrë vesh se mbrojtësi i majtë ka kontaktuar drejtuesit dhe ka kërkuar prej tyre që ta lënë të lirë. Ismajli erdhi verën e shkuar nga Gjilani. Ai në pjesën e parë të sezonit luajti 23 takime, duke shënuar 3 gola, dhe qenë në fushë 1562 minuta. Lojtari nga janari e në vazhdim u dëmtua dhe nuk arriti të luante. Futbollisti do të jetë gati vetëm për sezonin e ri futbollistik.