Historia flet për Flamurtarin. Ekipi kuqezi u rikthye në Abissnet Superiore pas pesë vitesh mungesë. Flamurtari arriti të rrëmbejë një fitore minimale 1-0 përballë Vorës për të festuar rikthimin në elitë. Në një ndeshje ku vlonjatët dominuan përballë një Vore me objektiva të arritura, gjithçka u zhbllokua në minutën e 33-të nga Ememe, i cili përfitoi nga një mosmarrëveshje e mbrojtjes vorake duke mposhtur portierin Ruçi.
Rastet nuk munguan në minutat në vazhdim, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, aty ku të dyja skuadrat kishin të gjithë të drejtën që të festonin.
Pas 33 javësh kampionat, Flamurtari e mbylli sezonin në vendin e dytë me 75 pikë, një më pak se Vora e vendit të parë dhe një më shumë se Besa e vendit të tretë. Në lidhje me këtë arritje, klubi organizoi sot një drekë festive me rreth 100 të ftuar. Vetë Flamurtari ka publikuar pamje nga festa ku në sfond dëgjohet himni i skuadrës. Të gjithë këndojnë. Pjesë e tyre është edhe Sinan Idrizi, i cili gëzon pas arritjes së objektivit kryesor. Dhe pse iu afruan Superiores për sezone me radhë, vetëm në aktualin ia dolën me sukses. Historia te Flamurtari tani mund të marrë tjetër rrjedhë. Për këtë arritje pritet edhe premio.