Kjo recetë është shumë e thjeshtë në përgatitje, përbërësit e saj janë bazikë, kërkon pak durim dhe kujdes në përgatitje dhe shija e saj do t’ju ëmbëlsojë pa masë, bashkë me më të dashurit tuaj në familje.
Është një recetë ideale, e cila mund të përgatitet në raste ditëlindjesh, festash e gëzimesh familjare por edhe gjatë fundjavave.
Përgatitja e Tortës së Shtëpisë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për një tortë për 10 persona)
Për Pandispanjën
5 kokrra vezë
1 filxhan çaji miell gruri
5 lugë gjelle të mbushura me sheqer
1 lugë kafeje me gjalpë të freskët
Për Kremin e Pastiçerisë
2 të bardha veze
4 lugë gjelle me miell gruri
1 filxhan çaji e gjysmë me qumësht
½ lugë gjelle me gjalpë të freskët
4 lugë gjelle sheqer
Për Kremin e Gjalpit
100 gr gjalpë pako gjalpë
5 lugë gjelle sheqer
Për Aromatizimin dhe Kombinimin
1 filxhan kafeje liker
1 filxhan kafeje me arra të thërrmuara
½ filxhan çaji me reçel qershie
Përgatitja
Si fillim, nisni me përgatitjen e pandispanjës.
Rrihni në një tas të bardhat e vezëve veçmas përreth 20-30 minuta derisa vëllimi i masës të dy apo trefishohet dhe masa të fryhet e të bëhet kompakte.
Më vete rrihni të verdhat e vezëve, shtoni aty gjysmën e sasisë së miellit, përzjeini mirë me telin e kuzhinës.
Këtë masë shtojeni tek masa e vezëve të bardha të rrahura, shtoni edhe pjesën tjetër të miellit dhe përzjeini me telin e kuzhinës.
Duhet patur kujdes që gjatë përzjerjes së vezëve me miellin, vëllimi i vezëve të mos ulet.
Më pas, lyeni një tavë me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj, shtoni aty masën e brumit të përgatitur dhe futeni të piqet në furrë në 200 gradë për 30-35 minuta.
Pandispanja lihet të ftohet për 4-5 orë.
Më pas pritet në dy apo tri shtresa.
Ndërkohë që pandispanja ftohet përgatisni kremin e pastiçerisë.
Në një tas shtoni të bardhat e vezëve, miellin, gjalpin, sheqerin dhe qumështin.
Përzjeini mirë me telin e kuzhinës dhe vendosini në zjarr duke i përzjerë vazhdimisht derisa masa të marrë valë duke pasur kujdes që të mos ngjitet në tenxhere.
E heqim nga zjarri dhe e aromatizojmë me vanilje, e lëmë të ftohet.
Për kremin e gjalpit, kaloni në mikser sheqerin dhe gjalpin derisa të krijohet një masë kremoze e butë.
Pasi të keni përgatitur pandispanjën, kremin e pastiçerisë dhe kremin e gjalpit nisni përgatitjen e tortën.
Torta
Secilën nga shtresat e pandispanjës përkateni me disa pika liker dhe me pak shurup sheqeri (zjeni në një tenxhere një gotë ujë me gjysmë gote sheqer derisa shurupi të lidhet në formën e sherbetit).
Lyejeni seciluen shtresë me krem pastiçerie dhe vendosini njëra mbi tjetrën. Nëse preferoni mund të shtoni edhe disa arra të thërrmuara në secilën nga shtresat e pandispanjës, copëza çokollate apo përbërës të tjerë sipas preferencës.
Në fund, lyejeni të gjithë tortën anash me kremin e gjalpit dhe sipër me kremin e pastiçerisë.
Vendosni arrat e thërrmuara anash tortës si edhe në sipërfaqe dhe dekorojeni me kokrra reçeli sipër.
Torta është gati për t’u servirur dhe ruhet në frigorifer.