Elbasani shpreson që me hapjen e merkatos së dimrit të bëjë përforcimet e duhura në skuadër, në mënyrë që të jetë konkurruese me ekipet e tjera. Siç dihet, ngërçi më i madh i verdhebluve këtë pjesë të parë të kampionatit kanë qenë ndeshjet me rivalët direktë, pasi nuk ka arritur të marrë dot pikët që i duhen për të bërë diferencën. Për këtë arsye, e vetmja mënyrë për t’i konkurruar dhe synuar deri në fund “Final 4” është afrimi i lojtarëve cilësorë.
Mësohet se pas mbylljes së kampionatit në klub ka pasur një mbledhje mes drejtuesve dhe trajnerit Gvozdenoviç rreth lojtarëve që duhet të afrohen për t’i vënë në dispozicion një organikë sa më të plotë që të mund të përballojë siç duhet kampionatin. Mësohet se në tavolinë janë hedhur ide të ndryshme sa u përket lojtarëve që i bëjnë punë ekipin dhe kanë nisur që tani kontaktet e para dhe paraprakisht mendohet se do të jenë së paku tri afrime. synimi kryesor dhe një mision më vete është kthyer afrimi i një qendërmbrojtësi me potencë që të formojë dyshen me Bruno Lulajn.
Largimi i Telushit e ka lënë bosh këtë pozicion dhe është kthyer në imediate afrimi i një lojtari me eksperiencën e vlonjatit. Sakaq, edhe largimi i Hilës ka lënë boshllëk në qendër të mesit të fushës, ku kërkohet një lojtar që ofron siguri.
Një dëshirë tjetër e Gvozdenoviç është edhe një sulmues krahu, duke qenë se me skemën që ai preferon i ka të nevojshëm lojtarët e shpejtë në fazën e sulmit në krah. Për momentin, këto janë tre tipet e lojtarëve që është vënë në kërkim Elbasani. Më pas, nëse u del “okazion” ndonjë bomber në majën e sulmit, klubi është i gatshëm që të hyjë në tratativa.