Mjeku ekspert i Shëndetit Publik, Erion Dasho thotë se Shqipëria rrezikon këtë dimër një numër të lartë vdekjesh si pasojë e koronavirusit. Dasho në postimin e tij në Facebook shkruan se Shqipëria rrezikon këtë dimër një numër të lartë vdekjesh si pasojë e koronavirusit dhe duhet shmangur “sidomos skenari me 5,700 humbje jete deri në fund të dimrit!”.
Gjithashtu, Dasho ka shkruajtur edhe për humbjet e jetës tek personat që kanë shenja të Covid, por tamponi u del negativ.
“Sipas denoncimit, vdekjet me tampon negativ deri në nëntor kanë qenë të barabarta në numër me ato me tampon pozitiv. Pra rreziku ekziston që në fund të dimrit të kemi 1,400 vdekje të raportuara, por mbi 2,800 vdekje reale!”, shkruan Dasho.
Çfarë rrezikon Shqipëria këtë dimër?
Statusi i Plotë i Erion Dasho:
“Deri tani, jam munduar të mos jap disa shifra shumë shqetësuese nga epidemia në Shqipëri, por vazhdimi i sjelljes së papërgjegjshme nga ana e qeverisë dhe ministrisë e bën këtë të detyrueshme.
Së pari, kemi arritur në pikën ku gjatë dhjetorit mesatarja e vdekjeve ka arritur afërsisht 16 në ditë! Kjo do të thotë se Shqipëria rrezikon ta mbyllë dimrin me rreth 1,400 vdekje në se nuk merren masa! Për të shmangur këto vdekje nuk mjafton as rritja e numrit të testeve dhe aq me pak vaksina (sepse sa të vijë, shpërndahet dhe japë efekt vaksina do të kalojnë disa muaj dhe dimri do të ketë dalë).
Së dyti, ministria e frikësuar nga denoncimi i para disa javëve, po e deklaron e zezë mbi të bardhë në deklaratat ditore se po raporton vetëm vdekjet midis personave të konfirmuar tampon pozitiv; vdekjet e tjera vazhdojnë të fshihen! Sipas denoncimit, vdekjet me tampon negativ deri në nëntor kanë qënë të barabarta në numër me ato me tampon pozitiv. Pra rreziku ekziston që në fund të dimrit të kemi 1,400 vdekje të raportuara, por mbi 2,800 vdekje reale!
Së fundi, INSTAT në raportet tremujore të të cilit përfshihen edhe vdekjet në shtëpi, vdekjet në spitalet rajonale, vdekjet e pacientëve shqiptarë në Turqi, Itali, etj. tregoi se gjatë periudhës korrik-shtator 2020 humbën jetën nga COVID katër herë më tepër persona se sa u raportuan nga ministria!!! Në se ky raport vazhdon, deri në fund të dimrit rrezikojnë të humbasin jetën 5,700 shqiptarë!
Këto shifra do të bënin që vdekshmëria nga COVID në Shqipëri të mos qëndronte në vendin e 49-të në botë, por të kalonte direkt në vendin e tretë!!! Në rajon, kuptohet do të dilte në vendin e parë e shkëputur ndjeshëm nga vendet e tjera!
Për të shmangur këtë skenar të frikshëm kam personalisht muaj të tërë që shkruaj dhe flas dhe do të vazhdon të shkruaj dhe flas, pasi jeta e njerëzve nuk është lodër! Sidomos skenari me 5,700 humbje jete deri në fund të dimrit!
Sot nevojiten qeveritarë dhe ekspertë që punojnë bashkarisht dhe marrin vendime të shpejta dhe energjike! Testet e shpejta dhe vaksina janë element i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm në këtë përpjekje”, ka shkruar Erion Dasho.
Burimi: Top Channel