Egnatia vazhdon marshimin perfekt në kampionat! Rrogozhinasit kanë marrë fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur 2-1 Skënderbeun në përballjen e javës së tretë dhe duke konfirmuar edhe një herë ambiciet për kreun e renditjes. Sfida nisi me ritëm të lartë dhe vendasit nuk vonuan të gjenin rrjetën. Alessandro Albanese zhbllokoi takimin në minutën e 14-të, duke i dhënë avantazhin Egnatias.
Skënderbeu reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 34-t, me Saleh Nasr që u tregua i saktë nga pika e bardhë. Korçarët kishin mundësinë të kalonin në avantazh edhe më herët, por Bismark nuk arriti të shënonte nga penalltia, duke u ndalur nga portieri Dajsinani.
Në pjesën e dytë, Egnatia kërkoi me insistim golin e fitores. Presioni i kampionëve u shpërblye në fund, kur Karim Loukili realizoi në minutën e 84-t, duke shpërthyer festën në Rrogozhinë.
2-1 dhe tri pikë të tjera për Egnatian, që ruan startin perfekt të sezonit me tri fitore në tri javët e para. Në krahun tjetër, Skënderbeu pëson humbjen e dytë radhazi dhe mbetet ende në kërkim të fitores së parë.