Ervis Martinaj, i shumëkërkuari i drejtësisë rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Në këtë datë ai ka komunikuar për herë të fundit me familjarët e tij të cilët më pas e kanë shpallur të zhdukur.
Kur kanë kaluar 5 muaj që nga zhdukja e tij askush nuk di të thotë me bindje nëse “bossi” i lotove është zhdukur vetë apo e kanë vrarë. Zhdukja e tij po hetohet nga shteti në dy pista, njëra që ai është gjallë dhe tjetra që e kanë vrarë.
Gazetari Elton Qyno gjatë një emisioni televiziv e ka quajtur të çuditshëm kontrollin e policisë në shtëpinë e Martinaj. Sipas tij ai nuk është vrarë, por është zhdukur pa gjurmë. Ndërkohë që shton se ka të dhëna ku thuhet se Martinaj është hedhur në det.
“Policia nuk ka gjetur asnjë provë të vendgjetjes së tij pranë banesës së tij. E kam quajtur si një xhiro vizitë të policisë në fshatin Fushë Kuqe, sepse një person që nga 8 gushti konsiderohet herë si i zhdukur herë si ekzekutuar, ta kontrollosh në shtëpinë e tij ose te bizneset më duket e pabesueshme. Operacioni i policë motivohet nga një vendim i SPAK dhe çdo operacion i tillë, e ka një justifikim nga gjykata pasi Martinaj është shpallur në kërkim. Ndoshta policia ka pasur një informacion operativ, se mos Martinaj ka ardhur për të festuar Krishtlindjet në shtëpinë e tij.
Kemi një hetim për rrëmbimin dhe dyshohet nëse është gjallë apo jo. Ndërkohë që në SPAK kërkohet i gjallë për një ekzekutim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Pra, shteti po heton në dy pista dhe njëra pretendon se ka të dhëna se ky individ është vrarë, ndërsa tjetra e kërkon të gjallë. Në kanale policeske flitet se mund të kemi një rast të ekzekutuar. Unë nuk dua ta besoj një ekzekutim, sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me një njeri dhe vazhdoj t’i qëndroj planit se ai nuk është vrarë, por është zhdukur pa gjurmë. Ndërkohë ka edhe të dhëna se ai është hedhur në det. Nëse do të kishim një ekzekutim, nuk besoj se këta kundërshtarë të mos e reklamonin trupin e tij, për të shpallur triumfin e tyre”.