Nga përgatitjet për sezonin e ri janë mësuar edhe detaje të tjera te Dinamo. Mësohet se faza përgatitore është menduar të zhvillohet jashtë vendit, ku pista e parë është Italia dhe pista e dyta Turqia. Datat mbeten për t’u përcaktuar në një moment të dytë, pasi skuadra të ketë marrë formë.
Drejtuesit e Dinamos duan që grupi i futbollistëve të përgatitet për disa javë në Itali, në kushte optimale sa i takon infrastrukturës, ndërkohë që do të ketë mundësinë të luajë edhe disa ndeshje miqësore, që ndihmojnë stafin teknik për konsolidimin e ekipit.
Në planet e bluve janë katër ndeshje miqësore, një nga të cilat me Çitadelën, por mund të ketë edhe ndonjë test luksi me ndonjë kundërshtar nga Serinë A. Dëshira është për të shkuar në Itali, por frika e vetme e drejtuesve të Dinamos në këtë moment ka të bëjë me dokumentacionin e lojtarëve, ku mund të hasen probleme.
Nëse nuk realizohet plani për në Itali, atëherë do të shihet varianti për të shkuar në Turqi, aty ku shkojnë shpesh skuadrat shqiptare për fazë përgatitore. Edhe në këtë rast do të krijohej mundësia për të zhvilluar disa ndeshje testuese.