Derbi mes Dinamos dhe Tiranës u mbyll në barazim 1-1, në një përballje me ritëm, emocione dhe momente vendimtare deri në fund. Një sfidë që prodhoi gjithçka, nga gola të shpejtë në pjesën e dytë deri te një penallti e humbur në minutat e fundit që mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes. Pjesa e parë u karakterizua nga kujdesi i të dyja skuadrave, të cilat u treguan të rezervuara dhe pa rrezikuar shumë në portat respektive. Megjithatë, gjithçka ndryshoi në fraksionin e dytë të lojës.
Në minutën e 54’, Tirana kaloi në avantazh me Mysloviç, i cili zhbllokoi derbin dhe i dha epërsinë bardhebluve. Gëzimi i tyre zgjati pak, pasi vetëm katër minuta më vonë, në të 58’, Dinamo reagoi menjëherë. Pas një rrëshqitjeje të Kortez, Malomo përfitoi dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën në 1-1. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, erdhi momenti më dramatik në minutën e 88’.
Dinamo fitoi një penallti të artë për të marrë fitoren, por Bregu gaboi nga pika e bardhë, duke shtangur skuadrën dhe tifozët. Një rast i humbur që peshoi shumë në rezultatin final.Në fund, ekipet ndanë nga një pikë. Dinamo mban vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Tirana renditet në vendin e tetë me 32 pikë.