Vetëm dy ditë pushim, Dinamo nis menjëherë stërvitjet; objektivi mbetet Final-Four

by KLIKOJE.AL

Dinamo do të nisë sot përgatitjet për pjesën e fundit të sezonit. Pas barazimit në Shkodër ndaj Vllaznisë, kryeqytetasit patën mundësi që të pushonin për dy ditë dhe ditën e sotme, pushimet përfundojnë teksa skuadra do të rikthehet në fushën e blertë për të nisur nga puna.

Të besuarit e Dajës do të presin Elbasanin në javën e 30-të të kampionatit, në një përballje ku natyrisht fitorja është rezultati i vetëm që bën punë për Dinamon në këtë pikë të kampionatit. Në Shkodër, Dinamo nuk mori më shumë se një barazim pa gola por, paraqitja që Dinamo bëri dha sinjale se forma e dobët ka kaluar dhe në kampin blu është rritur besimi se ndaj Elbasanit në shtëpi, mund të synohet një rezultat pozitiv, sidomos për faktin që ekipi ka pushim nga ndeshjet dhe lojtarët e dëmtuar, mund të jenë gati për t’u vënë në shërbimin e trajnerit Daja në këtë fazë të fundit të kampionatit të rregullt.

Dinamo ka hasur në probleme të mëdha deri më tani për shkak të dëmtimeve dhe përveç Hoxhës që këputi ligamentin që në fillim të sezonit, dëmtime ka pasur shumë edhe në vazhdimësi të kampionatit. Në janar, një tjetër lojtar pësoi dëmtim të rëndë, ku Maliqi këputi ligamentin ndaj Besës së Kavajës në një sfidë të Kupës. Në javët e fundit të kampionatit, Dinamo nuk ka pasur në skuadër Beqjen, Qardakun që janë dëmtuar dhe kanë munguar prej disa javësh, por mungesa ka pasur edhe Qefalija dhe Guindo të cilët në ditët e fundit nuk kanë qenë me skuadrën. Pushimi i Kombëtareve i ka hyrë në punë shumë Dinamos në këtë pikë të kampionatit duke qenë se lojtarët e dëmtuar në ditët e fundit, mund të rikthehen për sfidën e radhës në kampionat. Në sfidën ndaj Elbasanit, me shumë gjasa grupi do të jetë i plotë nën urdhërat e trajnerit Daja për të synuar kthimin në “Final 4”.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.