Dinamo City po lëviz me shpejtësi në merkaton e verës, teksa drejtuesit e klubit blu janë fokusuar në përforcimin e skuadrës me elementë cilësorë nga tregu kosovar. Dy emra që po qarkullojnë me forcë pranë kampit dinamovit janë mbrojtësi i majtë Qlirim Avdulli dhe sulmuesi Almir Ajzeraj.
Avdulli konsiderohet një nga lojtarët më të kërkuar të momentit në Kosovë. Futbollisti i Ferizajt ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të rëndësishme në Shqipëri, mes tyre Egnatia, Vllaznia dhe Elbasani, ndërsa nuk kanë munguar as ofertat nga Azerbajxhani. Megjithatë, Dinamo duket se ka fituar terren në garën për firmën e 24-vjeçarit, falë edhe eksperiencës së suksesshme që ka pasur në afrimin e futbollistëve nga kampionati kosovar.
Mbrojtësi i majtë vjen pas dy sezonesh shumë pozitive, ku ka regjistruar plot 18 asistime, statistikë që dëshmon kontributin e tij të madh në fazën sulmuese. Në kampin blu ai shihet si një lojtar që mund të garantojë ekuilibër në mbrojtje dhe cilësi në ndërtimin e aksioneve.
Ndërkohë, një tjetër objektiv i rëndësishëm i Dinamos është Almir Ajzeraj. Sulmuesi 28-vjeçar, i cili së fundmi u largua nga Drita, po kërkohet nga disa klube në Shqipëri dhe jashtë saj, por burime pranë negociatave bëjnë me dije se Dinamo City është në avantazh për të siguruar shërbimet e tij.
Ajzeraj ka pasur oferta nga Egnatia, Tirana, Teuta dhe Vllaznia, ndërsa interes për të ka pasur edhe nga kampionate si Kazakistani, Ukraina dhe Çekia. Pavarësisht konkurrencës së fortë, lojtari me vlerë tregu rreth 500 mijë euro duket i prirur të vazhdojë karrierën në kryeqytetin shqiptar.
Nëse negociatat mbyllen me sukses, Dinamo do të sigurojë dy përforcime me peshë për sezonin e ri, duke konfirmuar ambiciet e klubit për të ndërtuar një skuadër konkurruese në të gjitha frontet.