Kaos, vetëm me këtë fjalë mund të përmblidhet ndeshja derbi Partizani-Tirana e mbyllur 2-0 në favor të skuadrës së Giovani Colella-s. Nga një gol në çdo pjesë por në fushë dhe në shkallë ndodhi gjithçka sepse përveç rrjetave të Mba dhe Carës, tifozët e zvarritën takimin pafundësisht me qindra flakadanët dhe fishekzjarret, shishet dhe stolat e hedhur në fushë duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes disa herë.
Momenti më i gjatë ishte ai i minutës së 50 kur ndeshja u ndëore pas golit të anuluar të Berishës për shkak të një pozicioni jashtë loje. Kryesori Xhaja i nxorri lojtarët nga fusha madje delegati Sulejmani kërkoi që ata të hynin në dhomat e zhveshjes por pas rreth 15 minutave takimi rinisi mes shumë problemeve.
Hedhja e vazhdueshme e sendeve në fushë, agresiviteti i tifozëve nga shkallët dhe ajri që në stadium nuk u pastrua asnjëherë, e bënë shumë të vështirë misionin e drejtuesve të takimit për ta çuar pa pasoja deri në fund këtë sfidë e cila u mbyll me festën e të kuqve që hipotekojnë derbin e dytë rresht dhe arrijnë në krye të klasifikimit Tiranën që tashmë nuk është më e vetme në vendin e parë.
Në të dytën, Tirana e rriti ritmin ndërsa në krahun tjetër, Telushi humbi mundësinë e artë për të shënuar nga pika e bardhë por kapiteni u ndal nga Bekaj që nuk arriti të bënte asnjë pasi Cara i rrëmbeu topin e Behiratche-s dhe Tirana ngriti “flamurin e bardhë” në një ndeshje të çmendur ku del me “kocka të thyera” ndërsa Partizani ristarton Superioren për të rinisiur garën nga e para.