Bylis ka lënë pas barazimin ndaj Tiranës dhe tani e gjithë vëmendja është në takimin kundër Egnatias kryesuese. Por, duket se barazimi me Tiranën ka lënë shije të hidhur, sepse në Ballsh nuk e përtypin faktin e dhënies së penalltisë, që sipas tyre ishte një shpikje e Koçit dhe anësorëve, por edhe VAR-it.
Ballshiotët do të kenë gati edhe Malomon, mesfushorin e dalluar këtë sezon, e të rikthyer nga pezullimi, por edhe Markun gati, ndërsa shpresohet shumë te Kamara në këtë duel kaq të rëndësishëm në shtëpi. Skuadra do të japë gjithçka për gjithçka ndaj Egnatias, duke synuar me patjetër rezultat pozitiv.
TIRANA-BYLIS 2-2
Tirana dhe Bylis zhvilluan një ndeshje dramatike në kryeqytet, e cila përfundoi me barazimin 2-2, duke mbajtur të hapur garën për mbijetesë. Përveç golave, sfida u shoqërua me episode të tensionuara, ndërhyrje të VAR-it dhe një ndërprerje të pazakontë të lojës, me presindentin Besnik Kapllanaj që tërhoqi ekipin për disa minuta nga fusha. Përballja nisi me një surprizë, pasi ndonëse Tirana u hodh menjëherë në sulm, ishte Bylis që shënoi i pari me Përgjonin në goditjen e tyre të parë.
Megjithatë, vendasit reaguan dhe përmes një goli të Përgjonit të tyre, arritën të barazonin në minutën e 40-të, duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 1-1. Pjesa e dytë solli edhe më shumë tension. Tirana kaloi në avantazh falë një penalltie të dhënë me ndërhyrjen e VAR-it, një vendim që shkaktoi polemika të ashpra. Aq i diskutueshëm ishte ky moment, sa drejtuesit e Bylis vendosën të tërheqin ekipin nga fusha në shenjë proteste. Pas disa minutash ndërprerjeje, skuadra ballshiote u rikthye në lojë dhe reagoi menjëherë duke barazuar me Ilieskin, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.