Bylis është treguar klubi më aktiv në ditën e fundit të merkatos së dimrit. Para sfidës me Partizanin, që do të luhet këtë të premte, klubi i Superiores ka zyrtarizuar tre afrime.
Fillimisht e nisi me portierin Robert Ozols. Ozols ishte në stol ndaj Anglisë rreth një vit më parë, ndërsa Shqipëria ishte në të njëjtin grup për kualifikueset e Botërorit 2026. 30-vjeçari ishte pa ekip këtë vit, pas eksperiencës me Audën në Letoni. Për të bëhet eksperienca e dytë jashtë Letonisë, pas asaj në Uzbekistan. Duhet thënë se Bylisi e afron pas largimit të Vashu dhe dëmtimit të Gurua.
Te Bylis, më pas u prezantua Jacques Fokam për sulmin. Fokam ishte për herë të fundit pjesë e Dukla Pragës në elitën e futbollit çek. Ndërkohë së fundmi është Dime Dimov që shton forcat në mbrojtje. 31-vjeçari nga Maqedonia e Veriut ishte pa ekip, pasi e mbylli me Persebajan. Për mbrojtësin e qendrës do të jetë eksperienca e parë në Shqipëri.