Vora është shumë aktive në merkaton e janarit. Ekipi nga periferia pasi u shpall kampion i Kategorisë së Parë kërkon të lërë shenjë në elitën e futbollit shqiptar. Pas prezantimit të ish-futbollistit të Partizanit, Henri Zunës dhe sulmuesit Luis Felipe, klubi vorak është drejt firmës me Bernard Karricën.
Futbollisti Bernard Karrica pritet të jetë përforcimi i radhës i Vorës në merkato. Skuadra e Bellait, ka arritur akordin me sulmuesin, që së fundmi ishte pjesë e Ballkanit në Kosovë, ndërkohë që në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Rijekës.
Vlen të theksohet fakti se 24-vjeçari Bernard Karrica, numëron edhe 10 ndeshje me fanellën e Kombëtares Shpresa, ku ka arritur të shënojë 2 gola, si dhe 12 paraqitje me Shqipërinë U19.
RINOVIMET DHE LARGIMET
Për sa i përket ndërtimit të ekipit, deri tani janë konfirmuar 4 rinovime, duke nisur me trajnerin Arian Bellai, më pas me kapitenin Xhuljo Tabaku, mbrojtësin Jurgen Vrapi, si dhe sulmuesin Mario Barjamaj. Njëkohësisht, është konfirmuar edhe afrimi i parë, i cili vjen nga bardheblutë e kryeqytetit. Portieri Romeo Harizaj nuk gjeti hapësira te Tiran dhe tani i janë besuar çelësat e katërkëndorit të Vorës. Me shumë gjasa do të rinovojë edhe portieri titullar i sezoneve të fundit, Shkëlzen Ruçi.
Ndërkohë që Vora ka zyrtarizuar edhe 7 largime, duke nisur me të parin Ysni Ismaili, e më pas Gresild Lika, Odirah Ntepe, Arbër Jata, Ermir Skënderi, Evans Aneni, Nikolin Duka. Ndërkohë, drejtuesit e klubit janë vënë në kërkim për të paktën 6 afrime që të zëvendësojnë të larguarit.
LEXO ME SHUME:Pas shumë vitesh mungesë rikthehet në Shqipëri, mesfushori firmos me kampionët (EMRI)