Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në Elbasan ku ndau me bizneset e këtij qyteti planin e Partisë Demokratike për rimëkëmbjen.
Basha bisedoi me disa prej përfaqësuesve të biznesit, të cilët i konfirmuan krizën e thellë që përjeton vendi.
Basha u ndal në një farmaci ku ashtu si në Durrës ishin shtuar listat.
Farmacistja: Ka arritur puna deri aty që paracetamoli ka arritur 2 qind lekë, ai thotë më jep një kokërr, detyrohesh ja jep falas. Listat e gjata…
Basha: Me listë?
Farmacistja: Edhe në famaxi me lista.
Basha: Dje isha në Durrës. Më tha një kolegia juaj të njëjtën gjë. Listat kanë filluar prej kohësh, por tani tha, kanë arritur nivele të papërballueshme për ne.
Farmacistja: Shume e kushtueshme, sepse receta e Covidit është shumë e shtrenjtë. Edhe nuk i thua dot jo, sepse të vjen për hall, nuk të vjen për qejf. Je i detyruar t’ia japësh!
Situat paraqitet aq e rënduar sa edhe konsumi i bukës ka rënë.
Shitësja: Bie konsumi, shkurtohet dhe punëtori! Imagjino, po, shkurtohet dhe punëtori! Me ça ta paguash kur s’ka punë? Kur s’ka prodhim? Me ça do e paguash punëtorin? detyrohemi të dyja mbulojmë një punëtor tjetër?!
Duke shpjeguar planin e rimëkëmbjes kreu i opozitës tha se problem kryesor për të nxitur konsumin është që njerëzit s’kanë lekë në xhep.
“Mundësitë ekzistojnë, sepse vendi nuk është një vend i varfër por një vend i vjedhur dhe po të ndalojmë këtë rrugë që na ka futur kjo qeveri, rrugë që na çon drejt kolapsit, të futemi në një rrugë zhvillimi normal. Kemi dalë përpara me këtë propozimin me 5 pika, planin me 5 pika që kemi propozuar, ku synimi kryesor është të nxitet konsumi dhe synimi i dytë është të mbështetet biznesi i vogël dhe bizneset në tërësi. Është plotësisht e mundur, prandaj ia kemi vënë në dispozicion tani. Propozimi ynë me 5 pika i ndihmon të gjithë ata që janë nën presionin më të madh të krizës. Në radhë të parë, ata që kanë humbur vendet e punës, në radhë të dytë biznesin e vogël, në radhë të tretë ata që do rimerren në punë për t’i stimuluar bizneset që t’i rimarrin në punë, me një ndihmë prej 200 mijë lekësh, për këdo që merr në punë, t’i japë 200 mijë lekë shteti, dyfishimin e ndihmës ekonomike, një 20 mijë lekësh të vjetër për pensionistët, për shpenzimet shtesë që kanë tani dhe pa diskutim mbështetje për shëndetësinë dhe arsimin”, u shpreh Basha nga Elbasani