Partia Demokratike është në provën e saj ekzistenciale dhe finale, u shpreh Agron Gjekmarkaj mbrëmë teksa ishte i ftuar në emisionin “Top Story”, gjatë një diskutimi për situatën në partinë më të madhe opozitare. “Në këtë kontekst, e kam mbështetur zotin Bardhi. E shoh si mundësi eksploruese dhe ndoshta mundësia e fundit për t’i dhënë një fytyrë serioziteti Partisë Demokratike dhe për ta shpëtuar atë. Që të jem i sinqertë, unë e kam konsideruar fatkeqësi të madhe shpalljen e Sali Berishës ‘non grata’ nga SHBA dhe po kaq fatkeqësi mënyrën se si zoti Berisha reagoi.
Dua të theksoj se unë nuk jam kritik me Lulzim Bashën sepse sot e kritikon Sali Berisha. Unë nuk e njoh Sali Berishën për kryetar. Nuk e njoh as Lulzim Bashën”, thekson demokrati, që shprehet i zhgënjyer nga Basha, që sipas tij po bëhet qesharak. “Berisha ka humbur përballë Ramës në vitin 2013 me 1 milion vota. Lulzim Basha iu bashkua vendimit për ta shpallur ‘non grata’, por jemi dëshmitarë që nuk ka bërë asnjë ditë betejë, u fsheh. Doli në tre intervista prej qyqari dhe nuk tha asgjë. Edhe sot nuk guxon t’ia zërë emrin me gojë Berishën.
Nuk shkëputet dot. Unë e dija serioz në mediokritetin e tij Lulzim Bashën, por të ishte shakaxhi kaq joserioz, nuk e mendoja. Të luajë një komedi të këtij kalibri, më vjen zor se e kam mbështetur me shpirt për 10 vite. Kam dashur të ketë sukses, të jetë kryeministër, por të shfaqet me këtë profil kaq qesharak…”.