Barazimi i djeshëm pa gola përballë Besës në Vlorë nuk është kapërdirë lehtë nga drejtuesit e klubit të Flamurtarit, që kanë vendosur që të shkarkojnë nga detyra trajnerin Dritan Resuli dhe stafin e tij teknik.
Presidenti Sinan Idrizi ka shkarkuar nga detyra teknikun dhe skuadra në stërvitjen e sotme është drejtuar nga drejtori sportiv Alfred Ferko dhe ish-sulmuesi Andi Ribaj, që aktualisht mban pozicionin e sekretarit të klubit.
Resuli është trajneri i dytë që largohet nga Flamurtari këtë sezon, pasi më herët nga drejtimi i skuadrës vlonjate u largua edhe Emiliano Çela.
Pritet që dyshja Ferko-Ribaj të drejtojë Flamurtarin në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Elbasanit, sepse për momentin nuk ka asnjë njoftim në lidhje me emrin e trajnerit të ri.
Kujtojmë që Flamurtari është ndërtuar për tu rikthyer në elitë, por aktualisht skuadra vlonjate e sheh veten 10 pikë larg kryesuesve të Bylisit dhe AF Elbasanit, që mbajnë dy pozicionet që të ngjisin direkt në Superiore.