Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në konferencën me 43 krerët e Policisë së Kryeqyteteve Europiane ka deklaruar se lufta kundër krimit të organizuar luftohet përmes bashkëpunimit dhe krijimit të grupeve hetimore të përbashkëta.
Rrumbullaku theksoi se është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj konference të diskutohen problematikat dhe të lehtësohet sa më shumë bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe të huaja në mënyrë që të luftohen grupet kriminale, të cilat nënvizon se tashmë nuk kanë nënshtetësi.
Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se krimi, qytetarët dhe institucionet po manovrojnë në të njëtën hapësirë.
“Është privilegj si drejtori të gjendem mes përfaqësuesve të mëdhenj europianë.
Krimi është më shumë sot se kurrë pa nënshetësi i informuar dhe i përgatitur, dhe e vetmja rrugë që mund ta kalojmë këtë sfidë është bashkëpunimi.
Për ta përmbushur misonin e ndiej si detyrim që të bashkërendojmë me burimet njerëzore.
Të shkëmbejmë ide dhe eksperienca personale për të njohur dhe për të krijuar bashkëpunim.
Qëllimi i përbashkët nuk është vetë deklarativ, por i konkretizuar nga operacionet e përbashkëta.
Në fokus të kësaj konference do të jenë disa nga sfidat e sigurisë, shkëmbimi i eksperiencës.
Lufta kundër krimit të organizuar është përparësi. Të gjithë biem dakord se për asgjësimin e krimit, është krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore.
Policia e Shtetit ka aktive 20 skuadra hetimore, 14 me Italinë dhe pjesën tjetër me BE dhe Eurojust.
Janë hasur vështirësi për arsye që përmenda, ju ftoj të shfrytëzojmë këtë konferencë për të lehtësuar këtë bashkëpunim.
Aktualisht institucionet, qytetarët dhe krimi manovrojnë në të njëjtën hapësirë”, tha Rrumbullaku.