Tre të rinj janë arrestuar këtë të hënë nga Policia e Tiranës për veprat penale “Mashtrimi”, mbetur në tentativë dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Në pranga ranë E. A., 21 vjeç, A. B., 18 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, të lartëpërmendurit mashtronin bizneset private, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve me qëllim përfitimin e një shume të konsiderueshme.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 89 400 euro dhe aparatet celulare të gjetura në banesat të autorëve. Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Tentativa”, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe ndalimi, për veprat penale “Mashtrimi”, mbetur në tentativë dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, i shtetasve E. A., 21 vjeç, A. B., 18 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi F. Gj., 39 vjeç, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Subjekti”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në datën 10 janar të këtij viti, është bashkëpunëtor me 3 shtetasit e lartpërmendur, të cilët u arrestuan në flagrancë gjatë operacionit “Tentativa”. Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj.
Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një subjekt privat, për të përfituar shumën 40 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve dhe duke përdorur emra të ndryshëm.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 89 400 euro të gjetura gjatë kontrolleve të banesave dhe aparatet celulare të autorëve të dyshuar.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjithakapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër.” thuhet në njoftim.