Burreli triumfoi ndaj Pogradecit me rezultatin 2-1 në finalen e zhvilluar në Rrogozhinë, duke siguruar zyrtarisht qëndrimin në Kategorinë e Parë edhe për edicionin e ardhshëm. Një duel tepër emocionues, ku u akorduan 2 penallti, teksa nuk mungoi as tensioni.
Në minutën e 7-të, gjyqtari Ziri akordon fillimisht 11-metërsh për Burrelin, por e anulon asistenti, i cili sinjalizon faull jashtë zonës. Ndërkohë në minutën e 35-të, akordohet penallti për Pogradecin, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Shkullakut. Ky moment nuk u shfrytëzua siç duhej nga liqenorët, pasi ishte Shyti që gaboi, teksa gjuajtja e tij u ndal nga portieri Çili.
Për të zhbllokuar sfidën duhet të vinte minuta e 41-të kur serbi Cirkoviç kaloi në avantazh skuadrën e Nikajt. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të Pogradecit, ndërkohë që në fragmentin e dytë të lojës, pavarësisht se pa trajnerin Bubeqi në stol për shkak të ndëshkimit me karton të kuq, matjanët gjetën forcë duke përmbysur rezultatin.
Fillimisht ishte Kurbneshi që vendosi baraspeshën në minutën e 56-të me 11-metërsh, ndërkohë që për golin e fitores mendoi braziliani Silva Kosta në minutën e 70-të.