Partizani i ka nisur që tani planet e merkatos. Të kuqtë janë përqendruar për të plotësuar sulmin në të gjitha pozicionet dhe i piketuari ështe Mustafa Gbolahan Salami. Sulmuesi i Kukesit ka rezultuar një nga zbulimet më të pikasura të Kategorisë Superiore në këtë sezon dhe Partizani është vënë në gjurmët e tij, duke hyrë në bisedime me Kukësin për ta blerë.
22-vjeçari ka kontratë me klubin verilindor deri në verën e vitit 2025, por interesimi për të riun është mjaft i madh dhe kjo verë shihet si e duhura për të ndërruar ekip. Dy klubet kanë zhvilluar takime në lidhje me një transferim të mundshëm të 22-vjeçarit. Kukësi ka shfaqur pretendimet e veta financiare, nisur edhe nga ofertat e klubeve jashtë vendit.
Partizani, nga ana e tij, ka bërë me dije se oferta përfundimtare për të blere Salamin është 140 mijë euro dhe pret një përgjigje nga Kukësi në ditët apo javët në vijim. Mbetet për t’u parë vendimi i klubit verilindor, por duhet thënë se shanset për finalizimin me sukses janë mjaft të mëdha. Për sulmuesin e djathtë në janar ka pasur interes edhe nga klube jashtë vendit.