Lideri demokrat Lulzim Basha, e ka bërë të qartë se demokratët do të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet vendore. Lëvizja e presidentit për zgjedhjet e pjesshme është cilësuar si kurth ndaj Bashës, por për kreun demokrat, Partia Demokratike nuk do t’i shmanget asnjë beteje. Këtë ai e ka bërë të ditur në një intervistë televizive.
“Partia Demokratike nuk do t’i ikë asnjë beteje, asgjë beteje përfshirë dhe zgjedhjet vendore, e dyta faktori politik është një përcaktim i cili duhet të ndryshojë në këtë kulturë të re politike që Partia Demokratike po prezanton në Shqipëri. Kjo që po ndodh nuk është thjeshtë një përplasje midis mendimeve krejtësisht të ndryshme për pluralizmin dhe demokracinë, është një ndryshim do të thosha kulturor i cili po ndodh për herë të dytën, para 31 vjetësh na çoi nga monizmi në pluralizëm, por jo tamam në demokraci dhe tani synon që Shqipërinë ta kthejë në një vend normal Europian demokratik”, tha ai.
Ndër të tjera, Basha tha se ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka ndikim në parti dhe nuk e ka shumicën as në institucionet e zgjedhura të Partisë Demokratike, nga Kuvendi Kombëtar, te Kryesia, as te demokratët. Sipas tij, kjo ishte rruga që vet ish-kryeministrit zgjodhi të ndiqte.
“Sali Berisha nuk e ka pasur dhe nuk e ka shumicën as në institucionet e zgjedhura të Partisë Demokratike, nga Kuvendi Kombëtar, tek Kryesia, as tek demokratët. Shumica e demokratëve kanë zgjedhur të ardhmen, e shkuara është pas. Kjo mund të jetë e dhimbshme për Sali Berishën, por ishte rruga që ai vetë zgjodhi kur i doli fjala demokratëve dhe bëri të kundërtën e asaj që premtoi. U përpoq ta merrte PD dhe ta përdorte si bunker pasi u shpall “non grata”, kur premtoi në fakt se nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike dhe demokratët në betejën që vendosi të zhvillonte kundër SHBA-ve, pasi u shpall “non grata” dhe këto janë pasojat”, tha ai.
Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha hodhi akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai u shpreh, se Sali Berisha nxjerr vullnetarë për aksionet kundër tij. Basha shtoi, se shumica dërrmuese e demokratëve e kanë refuzuar gënjeshtrën e Sali Berishës që sipas tij, u pompua për hallin e tij personal gjoja sikur ishte në interes të demokratëve.