Vushtria është rikthyer zyrtarisht në elitën e futbollit kosovar pas gjashtë vitesh mungesë, teksa triufoi në ndeshjen direkte ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultatin 1-3, duke u shpallur kampione e Ligës së Parë. Skuadra vushtrriase zhvilloi një paraqitje të madhe në sfidën vendimtare, duke menaxhuar më mirë presionin dhe duke “vulosur” një sezon fantastik me rikthimin në Superligë.
Atmosfera në stadium ishte elektrizuese gjatë gjithë takimit, por tensioni shpërtheu menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. Humbja e rëndë dhe dështimi për të siguruar kalimin janë përjetuar shumë keq nga tifozët e Vëllaznimit, të cilët kanë reaguar ashpër ndaj futbollistëve të skuadrës së tyre.
Në qendër të zemërimit të tifozëve ishte lojtari Viktor Kuka, i cili u akuzua nga disa tifozë për “shitje të ndeshjes”. Situata degradoi shpejt në tension verbal, ndërsa futbollisti, dukshëm i revoltuar nga akuzat, kërkoi ballafaqim direkt me tifozët në tribunë.
Pamjet pas ndeshjes treguan momente shumë të tensionuara, ku ndërhyrja e forcave të policisë ishte e domosdoshme për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e incidentit. Futbollistët e Vëllaznimit u larguan mes tensionit dhe zhgënjimit të madh të tifozërisë vendase.
Ndërkohë, në kampin e Vushtrrisë nisi festa e madhe për rikthimin në Superligë, një objektiv i shumëpritur nga klubi dhe tifozët pas gjashtë sezonesh larg elitës së futbollit kosovar.