Liria e Prizrenit ka dhuruar një tjetër sinjal të fortë në fundin e sezonit, teksa ka shkatërruar Dinamon e Ferizajit me rezultatin bindës 1-5 në transfertë, duke siguruar zyrtarisht një vend në “play-off”-in e Superligës së Kosovës. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi dominoi totalisht sfidën, sidomos në pjesën e parë, ku praktikisht vulosi fatin e takimit me një futboll agresiv dhe efikas.
Megjithatë, përveç spektaklit në fushë, në tribunat e stadiumit nuk munguan as “vëzhguesit specialë”. Në Ferizaj ishte i pranishëm edhe stafi drejtues i Besës së Kavajës, që duket se kishte “fokusuar radarët” te disa futbollistë të Dinamos dhe Lirisë. Në videon e publikuar nga stadiumi janë parë qartë presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, trajneri Gugash Magani, si edhe asistenti i tij Klodian Dervishi, të cilët ndoqën nga afër sfidën. Prania e tyre ka ngritur menjëherë dyshime për një merkato të mundshme verore, me Besën që duket se ka nisur lëvizjet për të identifikuar afrimet e reja për sezonin e ardhshëm.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se disa lojtarë të Lirisë kanë tërhequr vëmendjen e stafit kavajas pas paraqitjeve të mira këtë sezon, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në “radar” të ketë qenë edhe ndonjë element i Dinamos së Ferizajit.
Ndërkohë, festa i takoi plotësisht Lirisë së Prizrenit, që tashmë sheh me optimizëm sfidën e “play-off”-it dhe rikthimin e madh në elitën e futbollit kosovar.