Në një “Loro Boriçi” që gumëzhinte nga entuziazmi i tifozëve kuqeblu, Vllaznia konfirmoi edhe një herë se është një skuadër që di të fitojë me personalitet. Përballë Vorës, që erdhi në Shkodër për të provuar surprizën, djemtë e Thomas Brdarić nuk lanë asnjë dyshim dhe siguruan një fitore të pastër 2-0. Shkodranët e nisën ndeshjen me marsh të pestë, duke e shtyrë kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Pas disa rasteve të humbura, goli erdhi në minutën e 28′ me Bekim Balaj i cili shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Në fraksionin e dytë, loja mori ngjyrat tipike të një ekipi që di të administrojë dhe të shënojë në momentin e duhur. Me një aksion të shpejtë,zbritje nga e djathta e Kastratit, harkimi i tij në shtyllën e dytë gjen Muratajn i cili me një gjuajtje perfekte me kokë dyfishon shifrat duke vulosur fitoren dhe duke e kthyer ndeshjen në një festë të vërtetë për kuqeblutë.
Vora u mundua të reagojë, por mbrojtja shkodrane ishte e pathyeshme, ndërsa tribuna shpërthente në festë. Vllaznia qendron në vendin e dytë në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Vora mbetet në vendin e pestë me 7 pikë.