Situata që po kalon Vllaznia aktualisht duket se ka “trazuar” disi qetësinë në kampin shkodran, ku fitorja në kampionat po mungon prej 5 ndeshjesh. Dhe kjo ka bërë që skuadra të zbresë në vendin e katërt të renditjes dhe tashmë duke u vënë në ndjekje të dyshes kryesuese Elbasani-Egnatia.
Në këtë mënyrë skuadra kuqeblu ka pësuar një rënie të ndjeshme në krahasim me fazën e parë të kampionatit dhe diçka e tillë duket se është shndërruar në shqetësuese. Në këtë mënyrë në fillimin e kësaj jave siç mësohet për gazetën ka pasur një mbledhje te Vllaznia. Ku si stafi drejtues, ai teknik dhe gjithë futbollistët kanë qenë pjesë e një analize, për të marrë masat dhe dalë nga kjo situatë sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas burimeve, mbledhja nuk ka qenë edhe aq e qetë sa zakonisht ku janë kërkuar arsyet e kësaj rënie që ka pasur skuadra. Në mënyrë që ndoshta të kuptohen edhe pakënaqësitë dhe pse po ndodh ky “ngërç” i kuqebluve. Momentalisht sipas informacioneve ka një ultimatum në radhët e klubit shkodran përsa i përket dy ndeshjeve të fundit të vitit.
Ku objektivi i vetëm është marrja e 6 pikëve në duelet me Tiranën dhe Flamurtarin, që mbyllin vitin 2025 për shkodranët. Aktualisht nuk ka pasur ndonjë masë në drejtim të futbollistëve, por ato nuk përjashtohen në të ardhmen në rast mos realizimit të objektivave të vendosura për këtë periudhë të shkurtër kohore.