Shans i madh për portierin e Tiranës, Bekaj drejt fanellës së titullarit me Kosovën (video)

by KLIKOJE.AL

Portieri i Tiranës, Visar Bekaj, pritet të marrë një rol protagonist në ndeshjen miqësore që Kosova do të zhvillojë ndaj Andorrës. Situata është krijuar pas problemeve fizike të Arijanet Muriç, i cili mbetet në dyshim për këtë përballje dhe mund të mos jetë në dispozicion të trajnerit. Mungesa e Amir Shaipit në listën e të grumbulluarve e ka rritur edhe më shumë mundësinë që gardiani bardheblu të zbresë në fushë si titullar. Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës ka ftuar edhe portierin e ekipit U21, Altin Gjokaj, për të kompletuar repartin e portës.

Bekaj, i cili numëron nëntë paraqitje me fanellën e Kosovës, ka komentuar edhe humbjen 2-1 ndaj Çekisë në Pragë, duke theksuar se ndeshjet miqësore shërbejnë për të testuar lojtarë dhe alternativa të reja.

“Është gjithmonë nder të jesh pjesë e Kombëtares. Nëse më jepet mundësia të luaj, do të jap maksimumin tim. Ndaj Andorrës duhet të futemi me seriozitet maksimal, sepse në futbollin ndërkombëtar nuk ka kundërshtarë të lehtë”, u shpreh portieri i Tiranës.

 

Kosova vijon përgatitjet për sfidën e radhës, ndërsa stafi teknik po vlerëson gjendjen e Muriç. Nëse ai nuk rikuperohet në kohë, atëherë Bekaj pritet të marrë çelësat e portës së “Dardanëve” në përballjen ndaj Andorrës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.