Pavarësisht betimeve dhe stërbetimeve të opozitës dhe veçanërisht dyshes Meta-Berisha, duket se kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj, do të marrë një mandat të tretë në krye të Bashkisë së kryeqytetit. Zoti Veliaj ka treguar gjatë këtyre dy mandateve se kryefjala e punës së tij janë qytetarët, investimet dhe mbajtja e premtimeve. Dhe me sa duket këto 3 arsye të forta kanë bërë që qytetarët të shprehen dhe madje të premtojnë sërish votën për zotin Veliajn, nëse zgjedhjet lokale të 14 majit do të mbaheshin sot. Ka qenë eksperti i njohur i sondazhe, Eduart Zaloshnja, i cili ka publikuar dje një sondazh të bërë së fundmi nga i, ku tregohet qartë se Veliaj ka një përparësi-pëlqim me 40 mijë vota kundrejt rivalit të tij Këlliçi, apo çdo kandidat tjetër që do ta sfidojë atë në zgjedhjet vendore të 14 majit. “Në një pyetësor që u shpërndava elektronikisht në fundjavë 10 mijë banorëve të rritur të Shqipërisë (në mënyrë krejtësisht rastësore), ishin disa pyetje rreth prirjes për të votuar kandidatë lokalë për kryebashkiakë. Të anketuarit kishin opsione të ndryshme si “Do të votoj sot për kandidat socialist”, “Ndoshta do të votoj për kandidat socialist”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Berishës”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Berishës”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Alibeajt”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Alibeajt”, duke krijuar skenarë garash dyshe dhe garash treshe. Meqë pothuaj 1600 banorë të rritur të Bashkisë Tiranë e plotësuan pyetësorin e sipërpërmendur, isha në gjendje të bëja ekstrapolime statitistikore të përafërta edhe vetëm për territorin e kësaj bashkie. Nga ekstrapolimi i përgjigjeve të të anketuarve tiranas (ku përfshiheshin mosha, gjinia, zona e banimit – urbane apo rurale– votimi më 25 prill 2021, simpatia për politikanët kryesorë kombëtarë, etj.), më rezultoi se Veliaj ka sot një epërsi prej 35-45 mijë votash, pavarësisht nëse përballë tij do të jenë dy apo vetëm një konkurrent”, shkruan Zaloshnja.
“Foltorja” sulmon Veliajn
Por popullariteti i madh që gëzon Veliaj në Tiranë, duket se ka xhindosur Berishën, i cili ka nxjerrë dje besnikët e tij për ta sulmuar. “Foltorja” ka denoncuar këtë dielë kryebashkiakun Erion Veliaj, duke theksuar se ka shkelur procedurat për tenderimin dhe nisjen e punës për rikualifikimin urban të rrugës “Xhon Belushi” në njësinë 4 në Tiranë. Ka qenë deputetja Albana Vokshi dhe demokrati Gent Strazimiri, të cilët në një dalje për mediat nga njësia nr 4 në Tiranë, kanë theksuar se puna për rikualifikimin e aksit rrugor ka nisur, teksa gara për fitimin e tenderit mbyllet më 9 janar dhe më 22 janar pritej të shpallej fituesi. “Pse ky nxitim i Erjon Velisë? Pse shkelet ligji? Pse shkelen procedurat? Pse shkelen afatet? Sigurish logjika të çon që nuk është thjesht një mashtrim i Erjon Velisë si ato që bën ai çdo ditë, por është një vjedhje, është korrupsion, është abuzim me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe banorëve të Tiranës. Gjithashtu logjika të çon në faktin që megjithëse ai po mundohet ta mbulojë me ushtrinë e patronazhistëve, të çon në logjikën që aty është më tej se mashtrimi. Mund të jetë një kompani e paracaktuar, siç ndodh rëndomë në çdo tender të bashkisë. 471 milionë lek që shkojnë në xhepat e një komoanie që është paracaktuar më parë nga Erjon Veliaj, një klient i tij. Por fakti që atje ka makineri të bashkisë, ka punëtorë të Bashkisë Tiranë, atëherë punimet Erjon Veliaj po i kryen. Pra, 471 milionë lek ku shkojnë? Nuk shkojnë gjëkundi tjetër, veçse në xhepat e Erjon Velisë, për të kaluar më tej në xhepat e atyre patronazhistëve që ishin sot për të penguar pikërisht këtë denoncim, por edhe për të penguar mediat për të filmuat atë ç’ka po ndodhte në rrugën Xhon Belushi”, deklaroi Vokshi. Megjithatë, Vokshi dhe Strazimiri nuk e zhvilluan dot dje deklaratën në rrugën ‘Xhon Belushi’, pasi banorët nuk i lejuan, duke i akuzuar ata për bllokim të punëve të qytetit. Ndërkohë, Vokshi theksoi se kjo ishte e planifikuar nga Veliaj me synim që të fshehë abuzimet. “Nuk e bën dot atje ku e kishim planifikuar për shkak të angazhimit të ushtrisë së patronazhistëve të Erion Veliajt, që i them t’i tërheqë urgjentisht. Çfarë nuk donte Erion Veliaj të shihnin qytetarët e Tiranës, vjedhjen skandaloze. Erion Veliaj është kapur në flagrancë, ndaj drejtësia duhej të kishte reaguar që në momentin kur kandidati i Bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi e denoncoi dy ditë më parë”, nënvizoi Vokshi.