Koha e ndërprerjes së kampionatit i ndihmon shpesh skuadrat për të rikuperuar lojtarët me probleme fizike, siç po ndodh aktualisht edhe me Egnatian. Kampionët në fuqi nuk kanë në dispozicion aktualisht sulmuesit Redi Kasa dhe Youba Drame. I pari u dëmtua në ndeshjen me Laçin, ku u fut në fushë si zëvendësues dhe qëndroi pak minuta, kurse i dyti mungon prej një kohe të gjatë në radhët e rrogozhinasve. Kasa pësoi një tërheqje muskulore dhe ka munguar në ndeshjet e fundit me Tiranën dhe Vllazninë, që u luajtën në stadiumin e Rrogozhinës.
Sulmuesi 23-vjeçar ka shkuar në Itali, ku është rritur, për të kryer fazën e rikuperimit. Lojtari pritet që javën e ardhshme të bashkohet me grupin dhe gjasat janë që ai të jetë i gatshëm në stol për ndeshjen e radhës me Bylisin në transfertë. Sa i takon sulmuesit francez Drame, edhe ai është afër rikthimit nga dëmtimi që e ka lënë jashtë skuadre për një kohë të gjatë. Për të kapur formën e duhur lojtari pritet të marrë minuta me Egnatian U-21, që më pas të jetë në shërbim të trajnerit Edlir Tetova. Këtë kampionat francezi është aktivizuar vetëm në katër ndeshje, të gjitha si zëvendësues.