Nga Anglia vijnë lajme shqetësuese: Me gjasë varianti i zbuluar për herë të parë në Britaninë e Madhe, B.1.1.7 është më vdekjeprurës se sa mendohej deri tani.
Kryeministri britanik, Boris Johnson para gazetarëve në selinë qeveritare Downing Street në Londër, është shprehur, se ndërkohë ka “të dhëna” që varianti i ri i virusit Corona nuk është vetëm më infektues, por mund të lidhet edhe me një vdekshmëri më të lartë. Mbingarkesa e madhe e spitaleve në një masë të madhe është e lidhur me variantin e ri të virusit, tha politikani konservator.
Këshilltari shkencor i qeverisë britanike, Patrick Vallance, deklaroi se mes meshkujve të moshës 60-69 vjeç deri më tani ka pasur 10 raste vdekjesh ndër 1000 persona. Me variantin e ri të virusit kjo shifër tani është 13-14 raste. Por kemi ende pak të dhëna të sigurta, për të bërë deklarata me saktësi, tha Vallance. Ekspertët, sipas tij, nuk mendojnë se humbet efekti i imunitetit përmes vaksinës tek variante i ri i virusit.
Për dy mutacione të reja, ato në Brazil dhe Afrikën e Jugut kjo nuk është e qartë. Sipas qeverisë në Britaninë e Madhe ndërkohë 5,4 milionë vetë e kanë marrë dozën e parë të virusit. Mutacioni B.1.1.7 u shfaq në fund të vitit në juglindje të Anglisë, Kent dhe që atëherë është përhapur me shpejtësi në Londër dhe pjesë të tjera të vendit. Britania e Madhe është prekur rëndë nga pandemia, me dhjetëra mijëra infeksione në ditë. Më shumë se 96.000 vetë kanë humbur jetën nga virusi. Prej javësh vendi është në lockdown.
Mutanti i ri në më shumë se 60 vende
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërkohë varianti i ri i virusit i zbuluar në Britaninë e Madhe është përhapur në 60 vende, mes tyre edhe në Gjermani. Sipas ekspertëve ky vírus është 30-70% më infektues, se varianti i parë i Coronës. Varianti i ri është shkaku, pse Gjermania dhe vende të tjera kanë zgjeruar e zgjatur kufizimet e Coronës këto ditë.
Burimi: DW