Dinamo City është rikthyer te fitorja në kampionat pas dy humbjesh radhazi, kësaj radhe duke mposhtur në “Niko Dovana” Teutën, e vlefshme për javën e fundit të fazës së dytë të kampionatit.
Sfida nisi mjaft mirë për të dyja skuadrat, të cilat provuan shumë herë para porte, por me blutë që gjetën avantazhin falë ish-it Lorenco Vila në minutën e 13’.
Reagimi i durrsakëve nuk mungoi, të cilët provuan shpesh përpara porte, teksa barazimi erdhi vetëm në minutën e 35’ nga Daci.
Gjithsesi barazimi nuk zgjati më shumë se 8 minuta, pasi ishte sërish Vila i cili gjeti golin e dytë për blutë dhe të dytin personal.
Pjesa e dytë pati gjithashtu shumë raste nga të dyja ekipet, me durrsakët që e gjetën golin vetëm në fund, por që ishte VAR-i që e anuloi për një pozicion të parregullt.
Kështu Dinamo e mbyll vitin me një fitore të rëndësishme, duke u ngjitur momentalisht në vendin e 5-të të renditjes me 22 pikë dhe duke u futur sërish në garë për një vend në “Final 4”. Nga ana tjetër, Teuta vazhdon të jetë në krizë totale, duke qëndruar në fund të tabelës me 16 pikë.