Partizani do të ndeshet me skuadrën e Valmierës në turin e tretë kualifikues të Conference League, me takimin e parë që do të zhvillohet nesër në Letoni. Në prononcimin përpara ndeshjes, trajneri Zoran Zekic u shpreh se takimi i nesërm nuk do të jetë përcaktues, teksa përballë do të kenë një skuadër të vështirë.
“Valmiera është një skuadër që meriton vlerësim maksimal. Ata janë kampionët në fuqi të Letonisë. Kanë ndryshuar disi, pasi nga skuadra aktuale ditët e fundit kanë patur edhe largime. Kjo gjë ndoshta mund të na i vështirësoj paksa gjërat, pasi ne e kemi analizuar kundërshtarin nga përballjet e fundit që ka zhvilluar. Por kam shumë besim tek skuadra. Pas gati 2 muaj bashkë tashmë kuptohemi më mirë me njëri- tjetrin, çfarë na duhet të bëjmë për të qenë kompetitiv në Europë.
Nuk mendoj se do të jetë përcaktues ndeshja e nesërme, pasi do të luajmë dy të tilla. Po ta shikoni përgjatë këtyre tureve, rezultatet kanë ndryshuar nga ndeshja e parë tek e dyta. Na duhet vetëm të përqendrohemi te 90 minutat e nesërme e më pas do të mendojmë për sfidën e kthimit.
Sigurisht që kemi siguruar informacionet e duhura, ashtu sikurse edhe kundërshtari ka marr informacione për ne. Ne duhet të jemi shumë të disiplinuar si në çdo ndeshje, të vrapojmë shumë, të jemi kompakt për të bërë lojën tonë. Përpara ndeshjes mund të kemi shumë për të folur, por në momentin që fillon ndeshja çdo gjë është e hapur dhe mund të vendoset edhe nga disa episode”, u shpreh Zekiç.