Flamurtari pritet që të bëjë një merkato cilësore dhe për t’ia arritur qëllimit, presidenti Sinan Idrizi ka deklaruar se nuk do të kursehet. Megjithatë, pak zyrtarizime janë konfirmuar, ndërsa largime ka shumë duke përfshirë edhe Trimëror Selimi-n. Sulmuesi ka mbyllur bashkëpunimin me klubin vlonjat dhe i bashkohet një tjetër ekipi shqiptar, që militon në Malin e Zi, pikërisht me Deçiç.
Trimëror Selimi kishte edhe 1 vit të mbetur kontratë. 24-vjeçari do të ketë kështu mundësinë të luajë në Conference League me Deçiç.
Klubi shqiptar i Malit të Zi përballet me Sileksin në turin e parë kualifikues. Për Selimin do të jetë eksperienca e parë në Malin e Zi, pasi më parë ka dhënë kontributin e tij vetëm në Kosovë.
TAPET I RI PËR STADIUMIN E FLAMURTARIT
Drejt përfundimit shtrimi i tapetit të ri të fushës në stadiumin “Flamurtari“. Tapeti ka mbërritur nga Greqia dhe po shtrohet nga specialistë grekë. Jo vetëm fusha, por nga investimet janë përfshirë edhe tribunat. Stolat e vjetër po hiqen, ndërsa do të vendosen të rinj.
Në tribunën qendrore do të ketë një zonë VIP me 60 ulëse, të cilat do të jenë me abone vjetore. Punimet janë ndjekur dje nga afër edhe nga vetë administratori Sinan Idrizi.