Vendime që ndezin polemika! Tirana po “vritet” nga penalltitë; rastësi apo tendencë?

by KLIKOJE.AL

Katër penallti kundër Tiranës në tri ndeshjet e fundit të kampionatit. Përveç problematikës së njohur tashmë të klubit më të titulluar në vend, një të shtyrë drejt greminës po ia jep dukshëm gjykimi. Bardheblutë e vendit të fundit kanë barazuar në tri ndeshjet e fundit, por mund të kishin marrë më shumë. Sepse u ka takuar më shumë në bazë të asaj që kanë dhënë në fushë. Katër pikë të arta në luftën e mbijetesës në Abissnet Superiore u kanë ikur nga duart edhe për shkak të gjykimit.

Nëse dy penalltitë e akorduara kundër në ndeshjen me Vllazninë mund të justifikohen, pasi kanë elementët që i bëjnë të tilla, ato me Teutën në Durrës dhe Elbasanin në Elbasan ngrenë shumë dyshime. Sidomos ajo e fundit në Elbasan, një “dhuratë Krishtlindjesh” për kundërshtarin.

Kryesori Laver Alla dha një penallti shumë bujare në favor të Elbasanit. Vështirë të gjesh elementë të një ndërhyrjeje të gabuar të lojtarit të Tiranës (Lleshi) në atë rast. Alla insiston, komunikon me VAR-in (Eldorjan Hamiti dhe Olsid Ferataj) që nuk dihet çfarë qëndrimi ka mbajtur, ndërsa vendimi nuk ndryshon.

Si në rastin e Durrësit, ashtu edhe në të Elbasanit, Tirana ka protestuar duke u larguar disa minuta nga fusha. Më pas është kthyer për të vazhduar ndeshjen, sepse e ka të qartë se pasojat e braktisjes së saj janë të rënda. Ajo që e bën të rëndë rastin e Tiranës lidhet me faktin se penalltitë “fantazmë” kundër saj po bëhen sistematike dhe po e “vrasin” këtë skuadër.

Gjyqtarët që kanë gabuar mund të ndëshkohen nga sektori përkatës në FSHF, por pikët nuk ia kthen askush Tiranës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.