Çështja ndërkombëtare e momentit është frika se ku do të shpërthejë hakmarrja iraniane ndaj Izraelit, pas bombardimit të ambasadës së Teheranit në Damask. Ku kanë gjetur vdekjen ajka operative e Gardës Revolucionale që janë realisht forca më elitare e shtetit të mullahëve.
Dje, ishte Presidenti i SHBA, Joe Biden paralajmëroi ashpër Iranin. Megjithatë, nga shërbimet perëndimore, ato izraelite, por edhe të vendeve arabe është faktuar se Irani ka gati 100 hedhëse raketash me rreze të gjatë veprimi për të nisur sulmin, në momentin që këshilli i lartë Iranian të japë ‘Ok’.
Ndërkaq, shqetësimi, që ka ardhur duke u rritur nga CIA, Mosadi izraelit por edhe shërbimet perëndimore është se ky sulm hakmarrës mund të mos jetë i vetmi. Por të shoqërohet me një seri atentatesh terroriste në disa vende të botës.
Siç bëjnë të ditur infot e shërbimeve, kupola e mullahëve ka deklaruar se jo vetëm do hakmerret ndaj Izraelit, por duhet t’u tregojmë botës se Irani është i aftë të shkaktojë kaos kudo.
E një nga këto shënjestra të këtyre akteve terroriste theksohet se është edhe Tirana, përkatësisht Shqipëria. Madje Shqipëria dhe Turqia konsiderohen si caqet më të përmendura në planet operative.
Dhe pikërisht ky shqetësim vjen nga kryqëzimi i informacioneve qoftë nga inteligjenca turke, qoftë edhe nga ajo izraelite.
Tel Avivi ka ambasadën e saj në qendër të Tiranës, në një godinë të lartë që ndodhet pranë katedrales Ortodokse, por edhe pranë selisë së Gjykatës së Lartë. Përveç kësaj ajo zonë është një nga më të frekuentuarat nga qytetarë dhe turistë.
Shqipëria ka kohë që është nën një sulm Iranian, kryesisht në aspektin kibernetik, por ka pasur edhe raste të konsideruara si tentativa për bombë në kampin e muxhahidinëve që janë opozita e Iranit.
Siç mësohet, ajo që ndodhi vjet në Manzë ka qenë një informacion i shërbimeve partnere se do të ndodhë një sulm terrorist në atë zonë. Edi Rama ka vendosur më pas një operacion policor të egër ndaj të shkretëve muxhahidinë, pasi frikësohej se një sulm atje do t’i rrëzonte Turizmin, jo vetën në Gjirin e Lalzit por në të gjithë vendin.
Madje kjo frikë ekziston edhe sot, pasi shërbimi sekret Iranian mendon se muxhahidinët nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e një operacioni të izraelitëve për të minuar regjimin Iranian në hapësirën kibernetike, por edhe në territor.
Kanë qenë vetë muxhahidinët që me infot e tyre kanë bërë të ditur se protestat e mëdha një vit më parë në Iran janë organizuar nga ata. E Teherani mendon se gjithçka është organizuar dhe mbështetur nga Izraeli.
Irani në Tiranë është prezent, edhe pse Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Edi Rama me ndërmjetësimin e Erdogan ka pranuar që kjo përfaqësi të jetë në selinë e ambasadës së Turqisë që ndodhet në kodrat e Saukut. Kjo u bë për të mos krijuar një marrëdhënie armiqësore e për të frenuar sulmin kibernetik. Gjë që nuk ndodhi e faktikisht hakerat iranianë sulmuan serverat e Parlamentit të Shqipërisë dhe ato të INSTAT, ku kanë rrezikuar edhe të dhënat e censusit.
Edhe pse Edi Rama ka dështuar në këtë tentativë, ku në një farë mënyre ju përkul iranianëve, sot jemi në një situatë të re. Ku pas sulmit izraelit në Damask, Irani ka premtuar një hakmarrje të madhe. Madje një muaj më parë u sulmuan bazat e SHBA në Irak. E nëse sulmohen bazat amerikane, që është superfuqia e botës, po Shqipëria?
Kjo vetëm në aspektin e analizës logjike mund të konsiderohet shqetësuese; shto këtu edhe infot e shërbimeve sekrete. Frika është se mund të ketë dy sulme njëkohësisht si në Tiranë, ashtu edhe në Manzë, çka nëse ndodh e si pasojë për ditë do të jemi në televizionet e gjithë botës, duhet t’i themi lamtumirë turizmit në këtë verë. E kjo është frika më e madhe. Pritet që së shpejti, të mblidhet Këshilli i Sigurisë, i cili do të marrë masa të forta për tu kthyer vendi në një regjim gati shtetrrethimi për një kohë të pacaktuar.