Tirana i është rikthyer dje stërvitjes në kompleksin e saj, teksa skuadra bardheblu ka nisur përgatitjet për sfidën e javës së ardhshme ndaj Flamurtarit. Lajmi më i mirë për trajnerin është afrimi i Alfred Mensah, i cili është bashkuar me grupin dhe pritet të jetë gati për të nisur si titullar. Sulmuesi shihet si një armë e rëndësishme në repartin ofensiv, veçanërisht për një ndeshje delikate si ajo kundër vlonjatëve.
Ndërkohë, dilemat më të mëdha mbeten te lojtarët e dëmtuar. Meta dhe Dembele te Tirana vazhdojnë të jenë në dyshim për përballjen e radhës. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Meta do të jetë i grumbulluar, por gjasat më të mëdha, janë që ai, ta nisë ndeshjen nga stoli. Sa i përket Dembelesë, stafi mjekësor do të vendosë në momentet e fundit për aktivizimin e tij, ndonëse të gjithë janë optimistë se do të jetë në fushë.
Bardheblutë synojnë të marrin maksimumin ndaj Flamurtarit, për të konsoliduar pozitat në renditje dhe për të nisur me moral të lartë një seri ndeshjesh të rëndësishme.