Zupa e Dukës, kështu mendohet të jetë emri i vërtetë i Tiramisusë, ëmbëlsirës kaq të dashur edhe nga shqiptarët.
E mori këtë emër pikërisht në nder të Kozimo Mediçit, i cili e solli recetën në Fierence dhe i dha famë.
Sipas gastronomëve Tiramisuja u kthye shumë shpjet në ëmbëlsirën e preferuar të familjeve fisnike të cilat e konsumonin për të ngritur humorin.
Cooking Time ju tregon mënyrën më të thjeshtë për përgatitjen e kësaj ëmbëlsire në shtëpitë tuaja.
Me këtë recetë mund të surprizoni të dashurit dhe të afërmit tuaj me një shije përrallore.
Përbërësit që ju nevojiten:
-500gr mascarpone
-300gr biskota savoiardi
-5 vezë
-Kafe
-Kakao
-120gr sheqer
Përgatitja:
Si fillim ndajmë të bardhën nga e verdha e vezëve. Rrahim të bardhat e vezëve derisa të bëhen shkumë. Në tasin tjetër përziejmë të verdhat e vezëve me sheqerin. I bëjmë banjëmari derisa të shkrihet sheqeri komplet. Shtojmë mascarponen tek tasi me të verdhat e vezëve dhe i përziejmë.
Më pas shtojmë gradualisht shkumën e të bardhave duke përzier me kujdes nga lart poshtë për të ruajtur volumin. Më pas lagim biskotat tek kafeja e përgatitur dhe shtrojmë një shtresë në tavë. Hedhim një shtresë kremi dhe më pas shtojmë shtresën e dytë të biskotave. Në fund shtojmë shtresën e dytë të kremit. E vendosim në ftohje për 6 orë. Para se ta konsumojmë i hedhim kakao lart dhe e kemi gati për ta shijuar.
Kjo është një ëmbëlsirë e lehtë dhe shumë e shijshme pa pjekje që do t’ju nderojë para miqëve. Ju bëftë mirë nëse e provoni!