Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Sarandës pasi tentoi të kalonte në kufi 4 emigrantë të paligjshëm. Në pranga është vendosur i riu Kajtaz Baho, banues në Sarandë. 19-vjeçari po udhëtonte me makinë brenda së cilës ishin edhe 4 emigrantët e paligjshëm. Kundrejt pagesës, i riu i kishte premtuar emigrantëve kalimin drejt vendeve të BE-së.
Njoftimi i policisë
Punë e pandërprerë policore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e dhënies ndihmë kundrejt fitimit, shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Kapet në flagrancë, duke transportuar kundrejt pagesës, me automjet, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 19-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë konstatuar një rast tjetër të kësaj veprimtarie.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ky shtetas u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Çukë-Dritas”, duke transportuar me automjet, kundrejt përfitimit, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.