Tefik Osmani ka zgjidhur dyshimet për të ardhmen e tij, teksa do të kthehet përsëri në kryeqytet për të vazhduar karrierën e drejtorit sportiv, pas largimit nga Vllaznia në fund të edicionit që sapo u mbyll.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, ish-futbollisti korçar ka gjetur akordin për të marrë detyrën që mbante edhe më parë te klubi i Tiranës, nga i cili u largua dy vite më parë. Osmani kishte në tavolinë edhe oferta nga klube të tjera të Superiores, por ka preferuar atë të kryeqytetasve, të cilët i njeh mirë nga eksperienca e mëparshme.
Bardheblutë mbyllën bashkëpunimin me Agim Ibraimin dhe çdo gjë ishte e hapur për të kthyer Tefik Osmani-n, i cili do të ketë detyrën e vështirë të rindërtojë kryeqytetasit pas një sezoni zhgënjyes. Akordi mes tij dhe Halilit është arritur dhe tashmë mbetet vetëm zyrtarizmi i palëve në ditët në vijim, para se ai të fillojë punën në këtë etapë të re të karrierës.
Te Tirana kthehet për një skuadër konkurruese, ku gjërat të shkojnë vaj. Nga ana tjetër, presidenti Refik Halili ka shpalosur situatën, duke pranuar që këtë kampionat gjërat do të shkojnë mirë. Halili ka shpalosur edhe planin e tij se ka ndërmend që të investojë për sezonin e ri një buxhet të konsiderueshëm, duke pasur parasysh çështjen që këtë kampionat buxheti ka qenë i ulët. Fakt është që Tirana mezi qëndroi në kategori këtë kampionat dhe ky investim i Halilit do të jetë përgjigje për kthimin e skuadrës së madhe në Kategorinë Superiore. Të shohim se çfarë do të ndodhë në vazhdim.