Supergol në Ukrainë, ish-sulmuesi i Partizanit protagonist me skuadrën e tij

Tedi Cara

Tedi Cara po kalon një moment shumë pozitiv në javët e fundit të kampionatit ukrainas, duke u shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadrës së Oleksandrija, pavarësisht se kjo e fundit nuk arriti të mbijetojë në elitë dhe ra nga kategoria. Në transfertën e sotme ndaj Rukh Lviv, sulmuesi shqiptar zhbllokoi sfidën që në minutën e 7-të, duke realizuar një supergol që konfirmon formën e tij të shkëlqyer. Cara tregoi instinkt të pastër sulmuesi dhe cilësi teknike, duke i dhënë avantazhin skuadrës që në start të takimit.

Ky nuk është një rast i izoluar, pasi ish-kapiteni i Partizani kishte gjetur rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen e mëparshme, duke dëshmuar një rritje të ndjeshme në performancë në fazën më vendimtare të sezonit. Aktualisht, Cara numëron 6 gola dhe 2 asistime në këtë edicion, statistika që marrin edhe më shumë vlerë duke parë situatën e vështirë të skuadrës. Forma e tij e mirë ka rikthyer vëmendjen e klubeve të tjera, teksa merkatoja e verës pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.

Edhe gjatë merkatos së dimrit kishte interes konkret për sulmuesin shqiptar, me oferta nga Polissya Zhytomyr dhe Kolos Kovalivka, por palët nuk arritën një marrëveshje. Tashmë, me këto paraqitje të fundit, vlera e tij në treg mund të rritet ndjeshëm, duke e bërë largimin thuajse të pashmangshëm.

Nëse ruan këtë ritëm, Cara mund të sigurojë një transferim të rëndësishëm dhe një hap cilësor në karrierë, duke lënë pas një sezon të vështirë në aspektin kolektiv, por pozitiv në planin personal.

Related posts

Partizani arkëton sërish nga mesfushori, 300 mijë euro të tjera vijnë nga Spanja (EMRI)

Vllaznisë nuk i ndahen telashet, pas humbjes ndaj Dinamos merr lajmin tronditës

“Presing dhe ekuilibër” / Glen Daja zbulon recetën që rrëzoi Vllazninë: E përgatitëm si finale, ky grup ka karakter