Tahir Batatina, trajneri i Llapit ka folur për rastin e Etnik Brrutit. Lojtari i talentuar i Malishevës vendosi të kalojë nga Kosova U-21 te Kombëtarja shqiptare. Batatina i jep një pjesë të përgjegjësisë Federatës së Futbollit në Kosovë, që sipas tij duhet të reagojë. Rekomandimi i tij është krijimi i një çështje në FIFA, për të mos lejuar kalimin e lojtarëve nga grupmoshat e Kosovës te Shqipëria.
“Rasti i kampionatit Serbi-Shqipëri, pak kemi reaguar. Të jemi realistë, është dashur më shumë. Në momentin kur lë diçka në hije, kur ti bën një aksident dhe nuk mëson nga ai, herën e dytë do ta bësh më të rëndë. Fare nuk kemi reaguar ne, duhej të reagonim shumë më shumë. Ne na përket të reagojmë.
Kemi ardhur në një situatë ku i vetmi lojtar që nuk ka pasur asnjë arsye të shkonte te Shqipëria, është Brruti. Të jemi realistë. Unë nuk ia mbaj krahun e askujt, babai i Brrutit ka qenë bashkëluftëtari im. Por nuk ka pasur asnjë arsye. Kur një kapiten ka shiritin, nuk e di çfarë të bëjmë më shumë ne trajnerët. Ne rrogë nuk i japim, i jep klubi, federata dhe kush i jep. Të gjitha i ka pasur mundësitë Brruti, që të jetë lojtar i kombëtares sonë. Federata e Futbollit të Kosovës duhet të merrte diçka më herët në këtë drejtim.
Federata kur e pa se pas shkuarjes së njëpasnjëshme të lojtarëve, duhej të bënte një kërkesë në UEFA dhe FIFA që unë e di se lejohet. Lojtarët që fillojnë karrierën dhe përfundojnë nga U-13 deri në U-21 te Kosova, të mos kenë të drejtë të përfaqësojnë një kombëtare tjetër. Ne duhet të tregojmë se mund të bëjmë një gjë të tillë. Duke ditur që nuk është rasti i parë, do të thotë se po largohen. Unë kam respekt për kombëtaren shqiptare, FSHF, se na ka ndihmuar në të gjitha proceset. Kjo nuk është ndihmesë. Duhet edhe Ademi ta thotë në sy kur nuk e ka mirë, edhe Dukës.
Ne mund të jemi dy vëllezër, por nuk duhet të tradhëtojmë njëri-tjetrin. Pa marrë parasysh sa ka Brruti kualitet. Ne po diskutojmë se në këtë momente po prishet një atmosferë e kombëtares si Kosova, që është e re. Patriotë janë ato trajnerë që punojnë për shtetin e vet, në pjesën e sportit, të shtetit dhe resurseve që ka”, u shpreh Batatina për “Dueli Sportiv”.