Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: dhune ne familje

  • Polici me medalje nderi arrestohet për dhunë në familje (FOTO)/ Në 2016-ën u plagos me plumb në sy gjatë grabitjes

    Polici me medalje nderi arrestohet për dhunë në familje (FOTO)/ Në 2016-ën u plagos me plumb në sy gjatë grabitjes

    Një efektiv i Policisë së Kurbinit, që deri dje konsiderohej hero, madje kishte marrë edhe medalje nderi, është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për dhunë në familje.

    Ai është denoncuar nga bashkëshortja dhe i biri për dhunë të vazhdueshme. Bëhet fjalë për 53-vjeçarin Nikolin Gjergji, punonjës Policie i Patrullës së  Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kurbin. Gjergji  mbeti i plagosur me një  plumb në sy, më 22 dhjetor  të vitit 2016, gjatë një operacioni për arrestimin e një 20-vjeçari që ishte grabitur një makinë luksoze “Porsche”,  në Lezhë. Ndërsa më 13 janar të vitit 2017, në 104-vjetor- in e Policisë së Shtetit, ishdrejtori Haki Çako i dha atij medaljen e mirënjohjes. Ndërsa sot, pas gjithë heroizmit të kryer në shërbim dhe funksion të rendit e sigurisë publike, Nikolin  Gjergji ndodhet pas hekurave, i dyshuar si autor i  dhunës në familjen e vet, ndaj gruas e djalit.

    ARRESTIMI

    Efektivi i Patrullës së  Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Kurbin, Nikolin  Gjergji 53 vjeç, është arrestuar dje pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes e djalit të tij. Gjergji,  banues në Kurbin, u arrestua nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, për veprën penale “Dhunë në  familje”. Ndalimi i policit, erdhi pas kallëzimit të bërë nga bashkëshortja dhe djali për dhunë. Ndërkohë, nga ana e specialistëve të SHÇBA-së u kryen të gjitha verifikimet për rastin në fjalë duke u administruar raporti mjekoligjor, si edhe duke i kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes për dy shtetasit e dhunuar. Materialet procedurale në lidhje me rastin u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, ndërsa SHÇBA-ja bën thirrje për të denoncuar raste të ngjashme të dhunës brenda  familjes nga ana e punonjësve të Policisë.

    PLAGOSJA NE 2016

    Një 20-vjeçar nga Lezha i quajtur Aldi Lleshaj, grabiti një makinë tip “Porsche”, 22  dhjetorin e vitit 2016, por Policia e pikasi dhe iu vu në ndjekje. I riu qëlloi në drejtim të  Policisë duke plagosur në kokë, konkretisht në syrin e  djathtë, efektivin Nikolin Gjergji. Ky zhvillim ngriti në këmbë Policinë e Shtetit, e cila angazhoi specialet e deri helikopter për kapjen e grabitësit. Me anë të një videoje  Policia tregoi aksionin e arrestimit të grabitësi, i cili përfundoi në pranga i plagosur. Gjithçka ndodhi në harkun kohor të 90 minutave. Autori i maskuar dhe i armatosur Aldi Lleshaj, 20 vjeç, grabiti një makinë rreth orës 09:20  në autostradë afër Kryqëzimit të Arbërisë. Makina “Porsche Cayenne”, me targa  “AA 870 II”, dyshohet se kishte brenda një shumë parash, ndërsa Policia ka qenë vetëm 300 metra larg vendit të grabitjes në postbllok. Autori kur ka parë makinën e Policisë ka qëlluar me armë zjarri në drejtim  të tyre dhe për pasojë ka mbetur i plagosur në kokë efektivi Nikolin Gjergji, i cili është transportuar në drejtim të  Spitalit të Traumës në Tiranë.

    Burimi: Panorama

  • Hynë në fuqi masat e reja kundër dhunës në familje! Nga sot kush rreh gruan del nga shtëpia

    Hynë në fuqi masat e reja kundër dhunës në familje! Nga sot kush rreh gruan del nga shtëpia

    Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga dita e sotme. Kështu parashikojnë ndryshimet në Ligjin për masat Kundër Dhunës në Familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen duke filluar nga kjo e mërkurë (18 nëntor 2020).

    Konkretisht, Ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.

    Me Ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa. Por ku do të strehohen burrat dhunues pas largimit nga banesa me anë të policisë? Qeveria do të bashkëpunojë me bashkitë për të siguruar strehë për burrat dhunues. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa.

    Gjykata do të shprehet edhe në vendimin emergjent apo edhe në vendin për mbrojtjen e viktimës, i cili do të jetë më i plotës dhe i arsyetuar.

    Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private. Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes.

    Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg.

    Burimi: Shqiptarja.com