Tingëllon e çuditshme, por supa me hithra është një oaz vlerash të shëndetshme.
Përdorimet e hithrës në kuzhinë dhe në mjekësinë popullore janë të shumëfishta dhe jashtëzakonisht të dobishme për shëndetin. Një prej tyre është padyshim supa me hithra.
E lehtë në shije por e fortë në përfitimet e dobishme që ajo i ofron organizmit, supa me hithra është një oaz vlerash të shëndetshme.
Hithra është protagonistja kryesore e kësaj supe të sugjeruar nga ne, e cila këshillohet për të kuruar një sërë problemesh shëndetsore duke nisur që nga ato të thjeshtat në këtë stinë virozash.
Supa me hithra është e pasur me antioksidantë, vitamin C, vitamin E, beta-karoten, selenium dhe flavonoidë.
Ajo përmban gjithashtu shumë hekur, kalcium, kalium, fosfor, klorofil, vitaminë C dhe D.
Kjo larmi ushqyesish e bën hithrën një supër ushqim, të këshillueshme kundër disa sëmundjeve, veçanërisht anemisë dhe sëmundjeve respiratore.
Nëse dëshironi të merrni të gjitha përfitimet e këtij super ushqimi, atëherë gatuani një supë me gjethet e njoma të hithrës.
Antioksidantët që gjenden te hithra kanë aftësinë të mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara prej oksidimit dhe rrjedhimisht të gjithë sistemin imunitar.
Kosi nga ana tjetër, i cili përdoret për të plotësuar këtë pjatë të mrekullueshme me ngjyrë të gjelbër, është i dobishëm sepse përmban probiotikë të cilët shkurtojnë kohëzgjatjen dhe intensitetin e simptomave të të ftohtit.
Si T’a Përgatisim Krejt Lehtë në Shtëpi
Përbërësit
- 1 filxhan me hithra të njoma
- Gjysëm filxhani me spinaq të freskët
- 2 lugë gjelle me vaj ulliri
- 2 qepë të grira hollë
- 2 gota me ujë
- 2 gota me qumështë të skremuar organik
- 3 lugë gjelle me miell
- Pak piper të bardhë
- Kripë sipas dëshirës
- Kos
Përgatitja
Lajini hithrat dhe spinaqin me ujë të bollshëm. Kullojini dhe prijini trashë.
Hidhni vaj ulliri në një tenxhere dhe kavërdisni qepën deri sa copat e saj të marrin një ngjyrë kafe të artë.
Shtoni ujin, hithrat dhe spinaqin dhe lërini të ziejnë deri sa të zbuten. Më pas transferojini përbërësit në një mikser deri sa të përfitoni një masë kremoze.
Rriheni qumështin e ftohtë së bashku me miellin. Shtojeni në tenxhere dhe vazhdojeni ta përzijeni pa ndaluar duke garantuar një shpërndarje të njëtrajtshme.
Lëreni supën të ziejë edhe për disa minuta deri sa lëngu të jetë trashur.
Shtoni kripën dhe piperin e bardhë. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe servireni supën në pjatat përkatëse. Hidhni pak kos dhe shijojeni.
Shënim: Hithrat janë të pasura me nitrat dhe nuk duhen konsumuar nga fëmijët, njerëzit që kanë probleme me stomakun ose njerëz që duhen të ushqehen me produkte me nivel të ulët nitrati.