Struga me objektiv të qartë. Ekipi shqiptar që militon në kampionatin maqedonas është pranë një arritje, me skuadrën drejtuar nga Shpëtim Duro që të martën do të luajë ndeshjen e dytë përballë Zhalgiris, në raundin e parë të kualifikueseve të Champions League. Shpëtim Duro në konferencën për shtyp tregon se nuk ka asnjë lloj euforie
“Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje të mirë, mund të them gjithashtu se edhe rezultati ishte i pranueshëm, kishim mundësinë të merrnim më shumë, por unë e kam thënë që pas përfundimit të ndeshjes së parë, se janë dy ndeshje për tu luajtur dhe për tu interpretuar, kështu që përqëndrimi është te loja e ditës së nesërme. Është çdo gjë e hapur pavarësisht avantazhit të rezultatit që kishim në ndeshjen e parë, po them se çdo gjë do të jetë e hapur”.
Pavarësisht faktit se skuadra lituaneze është në aktivitet, në gjysmën e kampionatit, Zhalgiris nuk ia doli dot të gjente ritmin apo të bënte diferencën dhe kjo edhe për meritë të Strugës që zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme. Megjithatë Shpëtim Duro i mban lojtarët të përqëndruar duke theksuar se kundërshtari mbtet favorit.
“Neve si ekip nuk fluturojmë shumë, madje jemi shumë modest në të gjitha aspektet dhe në të gjitha pikëpamjet, si në aspekt të drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe futbollistëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm që pavarësisht paraqitjes së mirë dhe rezultatit pozitiv, çdo gjë është e hapur. Në këtë aspekt e dimë se kundërshtari ka një një eksperiencë të jashtëzakonshme në ndeshjet europiane, por i dimë mirë edhe futbollistët, që sigurisht gjatë gjithë kohës këtë javë janë duke i zbatuar këto ide, që kjo ndeshje është histori tjetër, është ndeshje tjetër, nuk duam ta mendojmë ndeshjen në Zhalgiris, kjo është një ndeshje tjetër që duhet luajtur, duhet interpretuar dhe për të marrë në fund maksimumin. Nuk ka asnjë lloj doze euforie, vetëm seriozitet dhe koncentrim maksimal”.