Kryetari i PD, Sali Berisha është takuar pasditen e sotme me kryetarët e degëve në të gjithë vendin. Takimi i Berishës me kryetarët e degëve vjen pas njoftimit se protesta kombëtare do të zhvillohet mëe 11 shkurt.
Degët e PD kanë më pk se dy javë kohë për të organizuar strukturat edhe qytetarët për protestën para kryeministrisë, ndërsa duket se Berisha u ka dhënë dhe porositë e para. Kryedemokrati tha se PD do të vijoj protestat edhe pas asaj të 11 shkurtit, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
PJESË NGA DISKUTIMI
“Ne kemi nisur betejën në parlament, kemi thirrur protestën në datën 11 shkurt dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ne do të gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo. Qëndresa në parlament, hetimi parlamentar. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij.
Ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ndërkohë ne nuk shmangim, përkundrazi bashkërendojmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë. Në pamje të parë është komplekse, por misioni kërkon të gjitha këto. Misioni kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së me 14 maj, për largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë shqiptarëve. Pra, detyrë jo e lehtë, por absolutisht e realizueshme.
Jam i bindur se në këtë mision, PD do të fitojë, opozita shqiptare do të fitojë. Koha është krej tjetër, koha ka ndryshuar, në kuptimin që jo vetëm protesta e planifikuar që duhet të ketë përgjigjen më maksimale, me datën 11 shkurt duhet të mobilizohet çdo demokrat e demokrate. Duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë, për protestën në Tiranë. Tirana gjithashtu duhet të derdhet e tëra në shesh, Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës. Por ne jemi në revoltë, jemi në protestë, ky është revolucion”,-tha Berisha.