Takimi mes Strugës dhe Breidablik, e vlefshme për fazën play-off të Conference League, do të luhet më datë 24 gusht në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Vendimi është marrë në konsultim mes UEFA-s, Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi stadiumi i Strugës nuk plotësonte kriteret e qeverisë së futbollit europian për ndeshjet e kësaj faze. Në ndeshjen e parë të Champions League që Struga e zhvilloi ndaj Zhalgiris, ekipi drejtuar nga Shpëtim Duro e luajti në Ohër, në përballjen e dytë ndaj Buducnostit në Strugë dhe në fund ndaj Hesperange, në Centar Petar në Shkup.
Gjithashtu, asnjë stadium tjetër në Maqedoninë e Veriut nuk përmbush aktualisht kriteret e UEFA-s dhe për këtë arsye u ra dakord me FSHF, që ndeshja e parë e Strugës të luhet në Shqipëri. Përveç stadiumit, Federata Shqiptare e Futbollit do të ofrojë të gjithë asistencën e saj për organizimin sa më të mirë të ndeshjes falë edhe eksperiencës së madhe që ka në pritjen e kompeticioneve ndërkombëtare.