Emigrantët vijojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje në vend. Shtimi i kostove të jetesës dhe kriza e çmimeve të produkteve të shportës dhe jo vetëm i ka nxitur ata që gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të rrisin volumin e remitancave.
Dërgesat e emigrantëve në gjashtë muajit e parë të këtij viti kanë arritur në nivelin më të lartë që prej vitit 2010. Në të dhënat e bëra publike nga Banka e Shqipërisë thuhet se nga janari në qershor remitancat u rritën me 36 milionë euro krahasuar me vjet, dhe në total arritën në 376 milionë euro. Kjo është vlera më e lartë e dërgesave e bërë në gjashtëmujor, prej 12 vitesh.
Vetëm në tre muaj prill, maj, qershor dërgesat e emigrantëve ishin 192 milionë euro, shifër rekord edhe kjo në dekadë. Por nga ana tjetër vlera e remitancave mund të jetë më e lartë, pasi ka emigrantë që zgjedhin që paratë për familjarët e tyre ti sjellin cash dhe jo nëpërmjet kanaleve formale.
“Prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 192 milionë euro, në rritje vjetore 12%. Ka vijuar edhe për këtë tremujor, rënia e lehtë e përdorimit të kanaleve formale (sistem bankar dhe operatorë të sistemit të transfertimit të parave), si pasojë e lëvizjeve të emigrantëve dhe rrjedhimisht rritjes së prurjeve në cash”, thuhet në një raport të Bankës së Shqipërisë.
Kjo rritje e remitancave tregon se familjarët që punojnë jashtë vendit po kontribuojnë në përballimin e çmimeve nga të afërmve të tyre në Shqipëri, e nga ana tjetër dëshmon edhe për shtim të diasporës shqiptare si pasojë e emigrimit të lartë të viteve të fundit. Të larguarit më shumë janë të kualifikuar dhe të rinj, e për pasojë dhe kontributi i tyre në dërgesa valutore është në rritje të vazhdueshme.
Remitancat janë jetike për mijëra familje, dhe ato vijnë kryesisht nga Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra dhe SHBA.
TË ARDHURAT NGA EMIGRANTËT
Janar-Qershor 2021 340 mln euro
Janar-Qershor 2022 376 mln euro Diferenca +36 mln euro.