Ylber Ramadani është në fokusin e ndërkombëtarëve. Mesfushori i kombëtares shqiptare po shkëlqen me Leccen dhe në këtë mënyrë ka rënë edhe në sytë e “big”-ëve të Seria A. Ai po konsiderohet si lojtari kryesor duke qenë titullar i padiskutueshëm.
Paraqitjet e tij të mira janë vënë re edhe nga drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio. Ai po sheh nga afër mesfushorin dhe nuk do të jetë habi nëse në të ardhmen do t’i bashkohej zikaltërve.
Piero Ausilio, drejtori sportiv i Interit, po monitoron personalisht dhe nga afër paraqitjet e mesfushorit 27-vjeçar.
17 shtatori ishte mundësia e parë e Ausilios për ta parë live. Në stadiumin U-Power Monza-Lecce, mesfushori arriti performancën e tij të zakonshme në ndeshjen e cila përfundoi me barazim dhe në të cilën cilësitë e tij u theksuan në një kontekst ku skuadra ishte me një lojtar më pak për shkak të largimit të Baschirotto-s. Gjithashtu Ausilio e ka vëzhguar nga afër edhe në ndeshjet e Kombëtares.