Partizani ditën e nesërme në orën 19:00 do të sfidojë Valmieran në transfertë, takim i vlefshëm për turin e tretë të Conference League. Një duel mjaft i rëndësishëm për të kuqtë që do të synojnë fitoren për të qenë më afër kualifikimit për në “Play-Off”.
Por për këtë takim për shkak të dëmtimeve, Zoran Zekic është detyruar të ndryshojë listën e të grumbulluarve. Alfred Mensah prej javësh tashmë vazhdon rikuperimin, pasi është operuar për ependesitin, ndërsa Saliou Sembene ka pësuar një frakturë në krah.
Të dy lojtarët do të jenë mungesa të sigurta për këtë sfidë, ku trajneri kroat ka vendosur të bëjë pjesë të listës dy futbollistë të rinj. I pari është Gjergji Kote, i cili ka mahnitur Zekic në seancat stërvitore. I dyti është Bintsuka. Mbetet të shihet nëse për të dy lojtarët do të ketë minuta në Letoni apo do të duhet të presin edhe pak.